Kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave, Prof. dr. Skender Kodra, qëndroi për vizitë pune në Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Prof. dr. Skender Kodra realizoi një takim pune me Rektorin, Prof. dr Vullnet Ameti, i cili i shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për këtë vizitë të rëndësishme në Universitetin Shtetëror të Tetovës që përkon me 20 vjetorin e themelimit të këtij universiteti.
Ne drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndjehemi të nderuar për vizitën Tuaj në institucionin tonë, po ashtu, Ju falënderoj dhe ju shprehi gjithë mirënjohjen tonë për prezencën Tuaj në Akademinë solemne, ku ne shënuam 20 vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës, tha rektori Prof. dr. Vullnet Ameti, dhe shtoi se takimet e tilla me përfaqësues të lartë të institucioneve akademike janë të mirëpritura, mundësojnë bashkëpunime të reja shkencore mes kuadrove akademike dhe kontaktet e drejtpërdrejta me personalitetet të dëshmuara në lëmin e shkencës, kulturës dhe artit, e nderojnë Universitetin tonë, profesorët dhe studentët tanë.
Akademiku Skender Kodra e falënderoi rektorin për pritjen e ngrohtë në Universitet, dhe me rastin e 20 vjetorit të Universitetit i përcolli urimet e Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave.
“Në emër tim personal dhe në emër të Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave, ju shprehim urimet më të përzemërta me rastin 20 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, për ju drejtuesit, pedagogët dhe studentet, nderimin tim për kontributin e madh që ky Universitet ka dhënë këto 20 vite në fushën e dijes dhe të mbrojtjes së interesit madhor të kombit tonë’’, theksoi akademik Skender Kodra.
Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy institucioneve në lëmin e kërkimit shkencor, u diskutua për modalitetet që intensifikojnë marrëdhëniet ndërinstitucionale, si dhe mundësinë e ndjekjes së studimeve të studentëve të USHT-së në universitetet e SHBA-ve.
Gjatë qëndrimit në USHT, akademik Skender Kodra mbajti një ligjëratë nga fusha e psikologjisë klinike para studentëve të programit studimor të Psikologjisë, i Fakultetit Filozofik.
Në ligjëratën e tij, prezantoi konceptet të cilat i trajton psikologjia klinike, si dhe metodat e punës që përfshin kjo sferë e shkencës së psikologjisë. Gjatë prezantimit të tij, theks të veçantë u kushtoi çrregullimeve të sjelljes, shprehive të ushqyerit, abuzimin e substancave narkotike, depresionin etj. Gjithashtu, me studentët ndau edhe përvojën e tij praktike të punës në klinika, si dhe përvojën me studentët e tij nga universitetet në SHBA.
Në përfundim të vizitës, kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave, Prof. dr. Skender Kodra bëri homazhe dhe vendosi një kurorë te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. dr. Fadil Sulejmani, në emër të Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave, me seli në Nju Jork. |